Sherri për një vajzë përfundon me plumba në Delijorgj! – Zbardhen detaje për të plagosurin

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga të shtënat me armë të regjistruara pasditen e sotme në zonën e Delijorgjit, pranë ish-parkut të autobusëve në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti dyshohet të ketë nisur për motive xhelozie, të lidhura me një femër. Debati mes palëve ka degraduar deri në përdorimin e armës së zjarrit, ku si pasojë ka mbetur i plagosur në zonën e barkut shtetasi A. K., 34 vjeç.

I lënduari është transportuar menjëherë në një spital privat, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:50 në Rrugën e Kavajës. Autorët e dyshuar janë identifikuar, por identitetet e tyre nuk bëhen publike për shkak të hetimeve në vijim.

Grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe për kapjen e personave të përfshirë.