Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar këtë të premte kërkesën e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, me argumentin se ai nuk e ka përfunduar ende plotësisht dënimin.
Sipas trupit gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj, Çyrbja ka ende disa orë për të shlyer deri rreth mesnatës së sotme.
Në njoftimin zyrtar thuhet se gjykata shqyrtoi kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë, të caktuar fillimisht me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024, të verifikuar më pas me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024. Kërkesa u bazua në pretendimin se kishte përfunduar dënimi i dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025.
“– Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç. U shpall në Tiranë, sot më datë 20.02.2026”, thuhet në vendim.
Dënimi dhe akuzat
Ish-deputeti u arrestua më 28 tetor 2024. Ai u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe u dënua me 3 vite burg, dënim që zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Çyrbja u akuzua për veprat penale:
- “Tregimi i sekretit shtetëror”, kryer më shumë se një herë;
- “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më shumë se një herë;
- “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Sipas akuzës, ai informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë të shpallur në kërkim për operacione të mundshme policore në Durrës. Në këmbim, sipas dosjes hetimore, kërkonte mbështetje me vota për kandidimin e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në qarkun e Durrësit.
Në lidhje me këtë çështje është arrestuar edhe Ahmet Masha.
Me vendimin e sotëm të Apelit, Çyrbja do të qëndrojë në qeli deri në përfundimin e plotë të afatit të dënimit.









