Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka falënderuar publikisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për qëndrimin e mbajtur gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Bordit të Paqes në Uashington.
Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale, veteranët publikuan videon e fjalës së Ramës, duke e shoqëruar me mesazhin: “Faleminderit, Kryeministër z. Edi Rama”.
Gjatë ndërhyrjes së tij në Bord, Rama ngriti çështjen e ish-udhëheqësve të luftës çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
“Një prokuror tjetër, zoti President, kërkoi më herët gjatë javës një dënim prej 45 vjetësh burg për ish-presidentin e Kosovës, gjë që do të ishte e papranueshme për një gjykatë që ka dështuar në standardet e saj demokratike”, deklaroi Rama.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt presidentit amerikan, Donald Trump, me thirrjen: “Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka para se gjërat e këqija të ndodhin.”
Deklarata e kreut të qeverisë shqiptare ka nxitur reagime në Kosovë, ndërsa mbështetësit e ish-drejtuesve të UÇK-së e kanë cilësuar si një qëndrim të fortë politik në mbrojtje të figurave të luftës çlirimtare.









