Administrata e Donald Trump po planifikon ndërtimin e një baze ushtarake me 5,000 persona në Gaza Strip, e cila do të shtrihet në mbi 350 hektarë, sipas kontratave të Bordit të Paqes të shqyrtuara nga The Guardian.
Baza parashikohet të funksionojë si post operativ për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), një trupë shumëkombëshe që do të angazhohet për ruajtjen e paqes dhe sigurinë në Gaza. Bordi i Paqes, i kryesuar nga Trump dhe udhëhequr pjesërisht nga dhëndri i tij, Jared Kushner, ka për qëllim të mbikëqyrë rindërtimin dhe qeverisjen e zonës pas konfliktit.
Planet e publikuara parashikojnë ndërtimin e një kompleksi me sipërfaqe 1,400 x 1,100 metra, i rrethuar nga 26 kulla vrojtimi të blinduara, bunkerë, depo për pajisje ushtarake dhe poligon armësh të vogla. E gjithë baza do të mbrohet me tela me gjemba. Zona e zgjedhur është pjesa jugore e Gazës, e mbushur me shkurre, mbetje dhe metal të deformuar nga bombardimet izraelite.
Sipas dokumenteve, Indonezia është ofruar të dërgojë deri në 8,000 trupa për ISF. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka autorizuar krijimin e forcës, e cila do të mbrojë civilët, sigurinë e kufirit dhe të trajnojë forcat policore palestineze të verifikuara.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë roli do të ketë ISF në rast sulmesh nga Izraeli apo Hamasi, apo pjesëmarrja e saj në çarmatosjen e Hamasit, një kusht i vendosur nga Izraeli për rindërtimin e Gazës.
Shumë ekspertë dhe aktivistë shprehin shqetësime mbi sovranitetin e Palestinës. Avokatja palestinezo-kanadeze, Diana Buttu, e quajti bazën “akt pushtimi” dhe pyeti se kujt i është kërkuar leja për ndërtimin.
Zyrtarët amerikanë kanë refuzuar të komentojnë kontratën e bazës ushtarake, duke theksuar se asnjë trupë amerikane nuk do të vendoset në terren. Aleatët kryesorë evropianë gjithashtu refuzuan të marrin pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes, duke e cilësuar si një “guaskë bosh” ligjore.
Ndërtimi i kësaj baze, pjesë e Bordit të Paqes të Donald Trump, ngre pyetje të mëdha mbi ndikimin e SHBA-së në rajon dhe rolin e ndërkombëtarëve në paqen dhe sigurinë e Gazës.









