Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti fjalën e tij në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, e zhvilluar në ambientet e United States Institute of Peace në Uashington D.C., institucion që mban emrin “Donald J. Trump”.
Pas fotos familjare me liderët pjesëmarrës, seanca u çel nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili falënderoi për praninë e tyre kryeministrin Rama dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ndihet e nderuar për pjesëmarrjen në këtë nismë, duke nënvizuar mbështetjen e gjerë parlamentare në Tiranë.
“Faleminderit që më ftuat të jem pjesë e këtij rrugëtimi. Në votën e linjëzuar në parlamentin tonë flet vetë sesa e nderuar është Shqipëria,” u shpreh ai.
Kreu i qeverisë shqiptare iu referua edhe debatit mbi rolin e Bordit të Paqes në raport me OKB-në, duke deklaruar se nuk e sheh si zëvendësim, por si një mekanizëm që mund ta “shkundë” organizatën ndërkombëtare për ta bërë më efektive.
“Shumë thonë se Bordi i Paqes është për të zëvendësuar OKB-në. Nuk më duket si një zëvendësim, por nëse ndihmon për ta shkundur. Zoti e bekoftë Bordin e Paqes,” tha Rama.
Ai përgëzoi gjithashtu rolin e Trump në ndërmjetësimin për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe propozoi që Bordi të angazhojë të gjitha vendet anëtare për krijimin e një fondi publik në mbështetje të fëmijëve palestinezë.
“Kam propozuar që ky bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë për një fasilitet publik për fëmijët e Palestinës. Duke bërë këtë do të ndihmojmë pengjet më të pafajshme të çmendurisë së Hamasit,” përfundoi Rama.









