Nata e turpit për Interin – Norvegjezët e Bodo – Glimt u japin leksion 3-1 zikaltërve

Një mbrëmje e akullt në Norvegji, një rezultat që trondit Europën. Bodo/Glimt ka dhuruar një nga befasitë më të mëdha të këtij edicioni në play-off-in e UEFA Champions League, duke mposhtur Inter me rezultatin 3-1 në ndeshjen e parë.

Skuadra norvegjeze e nisi sfidën pa komplekse dhe kaloi në avantazh në minutën e 20-të. Pas një asistimi perfekt nga Kasper Hogh, Sondre Fet u gjend i lirë në zonë dhe realizoi me qetësi për 1-0, duke ndezur festën në tribunat e ngrira.

Inter reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 30-të. Pas një rrëmuje në zonë, Francesco Pio Esposito përfitoi nga një top i kthyer dhe shënoi për 1-1. Goli u verifikua nga VAR-i për një prekje të mundshme me dorë, por u konfirmua.

Pjesa e dytë ishte një recital i vendasve. Në minutën e 61-të, Jens Hauge riktheu epërsinë për Bodo/Glimt me një goditje të bukur në këndin e sipërm pas një tjetër asistimi nga Hogh. Vetëm tre minuta më vonë, në të 64-ën, Hogh këtë herë u shndërrua në realizues, duke shfrytëzuar pasimin e Ole Blomberg dhe duke vulosur shifrat 3-1.

Inter tentoi të reagojë, por u përball me një Nikita Haikin në superformë. Matteo Darmian goditi shtyllën, ndërsa zikaltërit patën disa tentativa të tjera, por pa rezultat.

Me këtë fitore, Bodo/Glimt hedh një hap gjigant drejt fazës tjetër, ndërsa Interi do të duhet të realizojë një përmbysje të madhe në ndeshjen e kthimit.

Një mbrëmje historike për kampionët norvegjezë – organizim, intensitet dhe efikasitet maksimal përballë një kolosi të futbollit europian.