Markelian Hoti, vëllai i deputetes së Partisë Demokratike Elda Hoti, është arrestuar në Romë nën dyshimet për përfshirje në trafik ndërkombëtar kokaine. 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge.
Sipas mediave italiane, ai u kap në zonën Ponte di Nona, në periferi lindore të kryeqytetit italian, ku qëndronte i fshehur në një hotel bashkë me partneren e tij. Hetimet tregojnë se ai dyshohet të ketë pasur rol në një organizatë kriminale që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Lënda narkotike mbërrinte në portin e Antwerp në Belgjikë dhe më pas transportohej drejt destinacioneve të tjera, përfshirë Dubain.
Arrestimi u realizua pas një operacioni të koordinuar mes Interpol dhe strukturave antidrogë në Romë. Autoritetet zbuluan se i riu kishte qëndruar “në hije”, pasi të dhënat e tij nuk ishin regjistruar në sistemin e hotelit ku po qëndronte. Pas identifikimit, ai u dërgua në burg në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Belgjikës.
Urdhri i arrestit ishte lëshuar në janar, pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në kontejnerë në portin e Antwerp-it. Ai akuzohet për “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër që parashikon deri në 15 vite burg.
Sipas të dhënave publike, Markelian Hoti rezulton të jetë arrestuar edhe më 5 prill 2023 në Tiranë për armëmbajtje pa leje, gjatë një operacioni të Komisariatit nr. 2, ku iu gjet një pistoletë në automjet.
Ndërkohë, në vitin 2025 është raportuar edhe arrestimi i bashkëshortit të deputetes, i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në prag të zgjedhjeve parlamentare, lidhur me pretendime për vetëgjyqësi. Autoritetet asokohe deklaruan se nuk u konstatua asgjë e paligjshme në mjetin e ndaluar.
Rasti i fundit pritet të ndiqet nga autoritetet italiane dhe belge, ndërsa procedurat për ekstradimin e të arrestuarit janë në vijim.









