David McAllister sqaron axhendën – Takon opozitën, por anashkalon Sali Berishën

Gjatë një konference për mediat në Tiranë, përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Parlamentit Europian, David McAllister, u pyet nëse do të zhvillonte një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.

McAllister theksoi se delegacioni ka takuar përfaqësues të opozitës shqiptare, duke përmendur konkretisht Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Albana Vokshi.

Megjithatë, ai sqaroi se nuk do të ketë një takim me Sali Berishën, pasi pas konferencës do të niset menjëherë drejt aeroportit për të udhëtuar në Frankfurt.

“Ne kudo që kemi shkuar kemi takuar përfaqësues të opozitës. Edhe në Shqipëri kemi zhvilluar takime, por pas kësaj konference do të nisem direkt për në aeroport”, u shpreh McAllister.