Mesazh i fortë nga Brukseli – McAllister: Rasti Balluku, provë zjarri për luftën kundër korrupsionit dhe integrimin në BE

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, deklaroi se çështja që përfshin Belinda Ballukun përbën një test kritik për Shqipërinë në përballjen me korrupsionin.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, McAllister u shpreh se nuk mund të komentojë në detaje një çështje individuale, por theksoi se rasti ka qenë pjesë e diskutimeve në takimet që delegacioni europian ka zhvilluar me autoritetet shqiptare.

“Unë nuk jam në pozicion për të komentuar aspekte ligjore të një rasti të veçantë. Megjithatë, kjo çështje përbën një test të rëndësishëm për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

Eurodeputeti gjerman nënvizoi se, përtej procesit ligjor, ekziston edhe një dimension i përgjegjësisë politike, duke lënë të kuptohet se mënyra se si do të trajtohet ky rast do të ketë ndikim në perceptimin e progresit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.