Rikthehet McAllister – takime në Tiranë me mazhorancën dhe opozitën

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ndodhet në Tiranë në krye të një delegacioni prej nëntë eurodeputetësh, në kuadër të një vizite zyrtare me fokus procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Takimin e parë, delegacioni e zhvilloi me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Në vijim të axhendës, eurodeputetët do të zhvillojnë diskutime me anëtarët e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin shqiptar.

Nga mazhoranca, McAllister pritet të takohet me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa nga opozita është planifikuar një takim me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Vizita do të mbyllet me një konferencë për shtyp të planifikuar në orën 13:15, ku pritet të jepen mesazhe lidhur me reformat, dialogun politik dhe ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian.