PROVOKIMI/ Irani sfidon SHBA – Mbyll për stërvitje luftarake ngushticën e Hormuzit

Irani ka shpallur të martën mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit për zhvillimin e stërvitjeve ushtarake me armë zjarri, në një demonstrim të fortë fuqie në kulmin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike.

Sipas mediave shtetërore iraniane, forcat ushtarake kanë lëshuar raketa në zonë dhe rruga strategjike detare do të qëndrojë e mbyllur për disa orë për arsye sigurie detare. Përmes kësaj ngushtice kalon rreth 20% e naftës botërore, çka e bën çdo ndërprerje potencialisht kritike për tregjet globale.

Lëvizja vjen në të njëjtën kohë kur negociatorët iranianë dhe amerikanë zhvillojnë një tjetër raund bisedimesh indirekte për çështjen bërthamore. SHBA-të kanë rritur praninë ushtarake në rajon, ndërsa Teherani po demonstron se kontrollon një nga pikat më strategjike të energjisë në botë.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem Ali Khamenei paralajmëroi se edhe ushtria më e fuqishme në botë mund të marrë “një goditje nga e cila nuk ngrihet më”, duke rritur frikën për përshkallëzim të mundshëm në Lindjen e Mesme.