“Drejtësi, jo politikë” — Prishtina u mbush me qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Ka përfunduar në Prishtinë marshimi qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i organizuar në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Mijëra qytetarë nga Kosova dhe trevat shqiptare u mblodhën në sheshin “Skënderbeu”, duke kërkuar drejtësi dhe duke kundërshtuar, sipas tyre, politizimin e procesit gjyqësor.

Në tubim mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u pa krah për krah me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Liria ka emër”, “Historia nuk rishkruhet” dhe “Liri në emër të popullit”, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte çlirimtare dhe nuk duhet relativizuar pavarësisht proceseve gjyqësore në zhvillim.

Organizatori i platformës “Liria ka Emër”, Ismajl Tasholli, deklaroi se marshimi kishte për qëllim të tregonte solidaritet me ish-krerët e UÇK-së dhe të kërkonte trajtim të drejtë ligjor, duke theksuar se, sipas tij, historia e luftës nuk mund të ndryshohet nga gjykimet aktuale.