Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pranuar pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve, duke vlerësuar se një pjesë e pretendimeve të tyre janë të bazuara.
Në vendimin e saj, gjykata i ka lënë detyrë Kuvendi i Shqipërisë të ndërhyjë në ligj për të reflektuar konstatimet e saj, çka pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e përcaktimit të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, si edhe në balancën mes pushteteve për pavarësinë financiare të drejtësisë.
Mosmarrëveshja lidhet me ndryshimet e vitit 2023, ku paga bazë e gjyqtarëve u përcaktua 36% e pagës së Presidentit (153 mijë lekë). Megjithëse në pamje të parë solli rritje, gjyqtarët argumentuan se realisht ishte ulje, pasi pagat në administratën publike u rritën ndjeshëm dhe referenca e mëparshme do t’u siguronte një pagë rreth 78 mijë lekë më të lartë.
Ata kërkuan rikthimin e formulës së vjetër ose përcaktimin e pagës në 54.3% të pagës së Presidentit, që do të sillte rritje të ndjeshme: nga rreth 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë deri mbi 3000 euro për gjyqtarët e niveleve më të larta.
Vendimi i Kushtetueses i hap rrugë rishikimit të plotë të skemës së pagave në sistemin e drejtësisë, ndërsa tashmë topi kalon te Kuvendi për ndryshimet ligjore përkatëse.












