Netanyahu paralajmëron Teheranin: Marrëveshje me SHBA ose goditje ndaj programit bërthamor iranian

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se çdo marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duhet të përfshijë shkatërrimin e plotë të kapaciteteve të pasurimit të uraniumit të Teheranit, duke lënë të kuptohet se në të kundërt Izraeli mund të ndërmarrë sulme.

Sipas raportimit të CBS News, gjatë një takimi në Florida në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump i ka shprehur mbështetje Izraelit për goditje ndaj programit të raketave balistike iraniane nëse negociatat me Teheranin dështojnë.

Netanyahu theksoi se kushti kryesor për një marrëveshje është largimi nga Irani i gjithë materialit të pasuruar dhe çmontimi i plotë i infrastrukturës që lejon pasurimin e uraniumit. Ai kërkoi gjithashtu kontrolle të rrepta dhe të papritura ndërkombëtare mbi programin bërthamor.

Kryeministri izraelit shtoi se marrëveshja duhet të përfshijë edhe programin e raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes iraniane për grupet e armatosura në rajon, duke përmendur Huthit në Jemen, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin palestinez.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi udhëtoi drejt Gjenevës për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në mbi programin bërthamor, negociata që rifilluan më 6 shkurt në Oman pas ndërprerjes së tyre për shkak të përplasjes së armatosur 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit.