Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte “gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, duke ashpërsuar tonet ndaj udhëheqjes në Teheran.
“Prej 47 vitesh ata vetëm flasin. Ndërkohë, kemi humbur shumë jetë”, u shpreh Trump, duke shtuar se ka “njerëz” që mund të marrin drejtimin e vendit, pa dhënë emra konkretë. Deri tani nuk ka pasur reagim nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei.
Në të njëjtën kohë, SHBA ka vendosur të rrisë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Sipas presidentit amerikan, aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford do të zhvendoset së shpejti drejt rajonit, për t’iu bashkuar USS Abraham Lincoln, e cila ndodhet tashmë atje.
Trump publikoi në platformën e tij Truth Social një fotografi të aeroplanmbajtëses, duke theksuar se ajo është në lëvizje drejt zonës së tensionuar.
Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump tha se negociatat me Teheranin do të vijojnë, por paralajmëroi se Irani duhet të pranojë marrëveshjen për të shmangur një sulm të mundshëm.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian është shprehur se vendi i tij është i gatshëm të kufizojë programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, por ka theksuar se Irani nuk do të pranojë kërkesa që i konsideron të tepruara.
Administrata amerikane kërkon ndalimin e pasurimit të uraniumit nga Irani, ndërsa bisedimet për një marrëveshje të re mbeten në proces.









