Policia e Tiranë ka zbardhur dinamikën e plagosjes me armë zjarri të ndodhur pak pas mesnatës së 14 shkurtit, në zonën e Sauk. Sipas hetimeve paraprake, 18-vjeçarja me iniciale N. K. dyshohet se është vetëplagosur brenda ambienteve të një subjekti (hotel) në këtë zonë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, ndërsa e reja është paraqitur në spital me plagë arme zjarri dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe veprimet e shpejta hetimore ka rezultuar se ajo dyshohet të jetë vetëqëlluar.
Pas plagosjes, 18-vjeçarja është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj), 48 vjeçe, dhe E. Gj., 24 vjeç.
Në vijim të hetimeve, janë arrestuar në flagrancë V. Gj., 46 vjeç, dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim S. Gj., 49 vjeç, E. Gj., 24 vjeç, si dhe E. Gj., 22 vjeç, të dyshuar për “Moskallëzim të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa 22-vjeçari akuzohet edhe për “Armëmbajtje pa leje”. Sipas policisë, këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Autoritetet vijojnë punën për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së përdorur, e cila ende nuk është lokalizuar, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur pak pas mesnate, ku një 18-vjeçare u vetëplagos me armë zjarri.
Arrestohen 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.
E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.









