Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar për Euronews Albania lidhur me debatet mbi ndryshimet e mundshme në Kodin Penal, pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama për ndërhyrje në legjislacion, në vijim të një vendimi të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Në interesimin e saj, Euronews theksonte se qëllimi i deklaruar i ndryshimeve është kufizimi i mundësisë që organet e drejtësisë, si SPAK dhe GJKKO, të aplikojnë masën e pezullimit nga detyra për funksionarë të lartë shtetërorë, përfshirë anëtarë të Këshillit të Ministrave, Presidentin dhe zyrtarë të tjerë.
Në përgjigjen zyrtare, Ambasada Amerikane theksoi se nuk komenton çështje ligjore që janë ende në proces. Megjithatë, ajo nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Nuk kemi koment për çështjet ligjore që janë në proces”, thuhet në reagim.
Deklarata vjen në një moment kur debati për balancën mes pushteteve dhe rolin e institucioneve të drejtësisë ka marrë vëmendje të shtuar në skenën politike.









