Nga bignews
Eksponentët e opozitës dhe analistët e tyre, sa herë që vendi ndizet me molotovë, tym e gurë mbi institucione, nxitojnë të thonë: “Kështu bëhet në Evropë”. Protestat e dhunshme i marrin shembull nga Parisi, Berlini apo Athina. Flakët i duan evropiane. Kaosin e quajnë standard.
Por kur vjen puna te përgjegjësia politike? Kur vjen puna te dorëheqja? Aty Evropa harrohet.
Në vendet që i përmendin me aq zell, një ministër largohet për një faturë të pajustifikuar, për një deklaratë të gabuar, madje edhe për një dyshim etik. Jep dorëheqjen për të mbrojtur institucionin. Jep dorëheqjen për të mos e mbajtur peng shtetin. Jep dorëheqjen sepse turpi politik atje ekziston.
Kurse këta feudalët tanë, kapen pas karriges si të ishte pronë private. Nuk lëvizin as kur shpërthen skandal, as kur dështojnë, as kur humbasin. Fjalën “dorëheqje” e njohin vetëm kur ua kërkojnë kundërshtarëve.
Evropën e duan për retorikë dhe për fotografi, së fundmi dhe për të justifikuar dhunën. Sa për standardet? As që u shkon ndër mend.
Nëse do të ishim vërtet evropianë, nuk do të importonim vetëm tym e zhurmë. Do të importonim kulturën e përgjegjësisë. Sepse demokracia nuk matet me sa fort bërtet në rrugë, por me sa dinjitet largohesh kur mëkati të bëhet mullar.
Deri atëherë, Evropa do të mbetet vetëm justifikim për spektakël – jo model për burra-shtetas.









