Një debat i ashpër në emisionin “Opinion” në Tv Klan degradoi në përplasje fizike mes gazetarit Berat Buzhala dhe analistit Albatros Rexhaj, gjatë diskutimit për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Tensionet nisën pas akuzave të ndërsjella për rolin e politikës në votimin e amendamenteve që çuan në krijimin e Dhomave të Specializuara. Rexhaj akuzoi përfaqësues politikë se i kishin dhënë Gjykatës kompetenca të gjera për interpretimin e Kushtetutës, ndërsa Buzhala reagoi ashpër, duke e akuzuar se po e “degradonte debatin”.
Situata doli jashtë kontrollit kur, pas shkëmbimit të fjalëve “Mbylle gojën” dhe “Kujt i thua?”, Buzhala u ngrit nga vendi, iu afrua Rexhajt dhe e goditi, duke shkaktuar tension të menjëhershëm në studio.
Moderatorit Blendi Fevziu iu desh të ndërhynte bashkë me të ftuarin tjetër, Ermal Hasimja, për të ndarë dy protagonistët dhe për të qetësuar situatën.
Pas incidentit, Berat Buzhala reagoi publikisht në rrjetet sociale, duke kërkuar falje për sjelljen e tij:
“Absolutisht kërkoj falje për sjelljen. Komplet gabim”, shkroi ai në Facebook.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, duke rikthyer debatin mbi etikën e komunikimit dhe kufijtë e debatit televiziv.
Pjesë nga debati në studio:
Rexhaj: Je tu e degradu debatin. Kur e keni kalu këtë amendament, dhomave speciale i keni dhënë të drejtën për me e interpretu vetë Kushtetutën. Je tu e degradu debatin. Ata janë vetë pashë, vetë subashë, vju e keni votu. E ka votu Albin Kurti!
Buzhala: Trus aty!
Rexhaj: Ti po fol tan ditën për Kushtetutën, ai e interpreton vetë Kushtetutën.
Buzhala: Po ta kuptoj që ke ardh me prish debatin!
Rexhaj: O burrë, s’je ti pronar i debatit. Mbylle gojën or burrë.
Buzhala: Kujt i thua ti mbylle gojën?! Kujt?! (tha ai duke iu afruar Rexhajt dhe e godet)
Këtu ndërhyn moderatori Blendi Fevziu, si dhe i ftuari tjetër Ermal Hasimja, për të ndarë dyshen.









