Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të një rakete të re balistike me bazë tokësore, në një tjetër sinjal se Evropa po përpiqet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe të reduktojë varësinë strategjike.
Propozimi vjen nga kompania hapësinore ArianeGroup, e cila ka nisur diskutime me Ministrinë franceze të Mbrojtjes dhe është në kontakt edhe me qeverinë gjermane për të prezantuar aftësitë e sistemit. Sipas kompanisë, raketa e propozuar do të ishte në gjendje të godiste objektiva mbi 1,000 kilometra larg brenda pak minutash, duke ofruar një kapacitet të ashtuquajtur “goditje e thellë”.
Zyrtarë të ArianeGroup theksuan se bisedimet janë ende në fazë paraprake dhe përfshijnë disa vende evropiane, ndërsa po analizohet roli që një sistem i tillë do të kishte në kontekstin aktual gjeopolitik. Si referencë u përmendën sulmet me raketa balistike të Rusisë në Ukrainë dhe përdorimi i këtyre armëve në Lindjen e Mesme.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Gjermania dhe Franca – si shumë vende të tjera evropiane – kanë rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes. Paralelisht, mesazhet nga Uashingtoni për një angazhim më të kufizuar amerikan në mbrojtjen e Evropës kanë shtuar presionin që vendet e BE-së të ndërtojnë kapacitete më të pavarura ushtarake.
Nëse projekti konkretizohet, ai do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt forcimit të autonomisë strategjike evropiane dhe rritjes së aftësive për parandalim dhe reagim të shpejtë në një mjedis sigurie gjithnjë e më të tensionuar.









