“Nevojitet më shumë kohë për shqyrtim” – Kushtetuesja shtyn vendimin për “Pagat e Gjyqtarëve”

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shtyjë marrjen e vendimit lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve, edhe pse mbledhja për shqyrtimin e saj ishte planifikuar për këtë të enjte.

Sipas njoftimit, gjyqtarët e Kushtetueses kanë kërkuar më shumë kohë për analizimin e çështjes, ndërsa në ditët në vijim pritet të caktohet një seancë e re.

Debati nisi në mars të vitit 2025, kur Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023 për pagat e magjistratëve. Me ndryshimet e reja, paga bazë e gjyqtarëve u përcaktua në masën 36% të pagës së Presidentit të Republikës, që përkthehet në rreth 153 mijë lekë.

Më parë, paga e tyre referohej me pagën e drejtorit të departamentit në Kryeministri, e cila në atë kohë ishte 132,100 lekë. Megjithëse ndryshimi solli një rritje nominale prej mbi 20 mijë lekësh, gjyqtarët argumentojnë se në praktikë kjo rezultoi në ulje.

Sipas tyre, në të njëjtën periudhë qeveria rriti pagat e administratës publike, duke e çuar pagën e drejtorit të departamentit në Kryeministri në 231 mijë lekë. Nëse do të ruhej referenca e mëparshme, ata pretendojnë se paga e tyre do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë se niveli aktual.

Për këtë arsye, Unioni i Gjyqtarëve kërkon nga Gjykata Kushtetuese rikthimin e formulës së vjetër ose përcaktimin e pagës në masën 54.3% të pagës së Presidentit, si dhe pasqyrimin automatik të çdo rritjeje të përgjithshme pagash.

Bazuar në formulën aktuale të llogaritjes, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve variojnë nga rreth 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë, deri në mbi 3000 euro për nivelet më të larta, përfshirë Apelin e GJKKO-së dhe SPAK-un.