Marina Meksikane dhe Roja Bregdetare e SHBA-së kanë zhvilluar një operacion të koordinuar në Oqeanin Paqësor, ku u sekuestruan tonelata kokainë, njoftuan autoritetet meksikane.
Sipas Marinës, aksioni u realizua në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe u zhvillua në ujëra ndërkombëtare, jashtë zonës ekonomike ekskluzive të Meksikës.
Gjatë operacionit, forcat zbuluan rreth 188 pako me lëndë narkotike në një anije në perëndim të ishullit Clarion, rreth 1,100 kilometra nga porti i Manzanillos në shtetin Colima. Autoritetet konfirmuan edhe arrestime, por nuk dhanë detaje mbi numrin e të ndaluarve.
Ky operacion i përbashkët vjen në një moment tensionesh mes dy vendeve. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake kundër karteleve të drogës në territorin meksikan dhe ka rritur presionin ndaj Meksikës me kërcënime për tarifa shtesë doganore.
Nga ana tjetër, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të lejojë trupa amerikane të operojnë në territorin e Meksikës.
Ndërkohë, Uashingtoni raportoi se kishte neutralizuar dronë që dyshohet se i përkisnin karteleve pranë kufirit, incident që çoi në mbylljen e përkohshme të aeroportit në El Paso, Teksas. Megjithatë, Sheinbaum tha se nuk ka marrë asnjë raport zyrtar për praninë e dronëve të tillë në kufirin amerikan.









