Alarm në NATO – Samiti i Brukselit vendos për Ukrainën, Ballkanin dhe të ardhmen e mbrojtjes europiane

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mblidhen këtë të enjte në Bruksel në një samit me peshë të veçantë strategjike, ku në fokus do të jenë mbrojtja e Evropës, zhvillimet në Ballkan dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën.

Takimi zhvillohet në një moment kur aleatët evropianë po përballen me presion në rritje për të marrë më shumë përgjegjësi në sigurinë e kontinentit, ndërsa prioritetet e Shteteve të Bashkuara po zhvendosen drejt rajoneve të tjera gjeopolitike.

Samiti vjen gjithashtu pas njoftimit të NATO-s për shtimin e pranisë në Arktik dhe zonat përreth, një vendim që pasoi tensionet mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë lidhur me Groenlandën. Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar më herët mundësinë e aneksimit të ishullit të administruar nga Danimarka, duke argumentuar se një veprim i tillë do të parandalonte ndikimin apo pushtimin nga Rusia ose Kina.

Në mungesë të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, SHBA do të përfaqësohet nga Nënsekretari Elbridge Colby. Kjo shënon herën e dytë në muajt e fundit që një zyrtar i lartë amerikan mungon në një takim kyç të NATO-s, pas abstenimit të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në takimin e ministrave të jashtëm në dhjetor.

Sa i përket Ukrainës, në samit do të marrë pjesë për herë të parë Ministri i ri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili mori detyrën në janar. Pas përfundimit të takimit zyrtar, Gjermania dhe Britania do të drejtojnë një mbledhje të veçantë me aleatët më të afërt të Kievit, me synim sigurimin e angazhimeve të reja për ndihmë ushtarake.