Ish-gjyqtari Ded Miri është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai njihej si ish-drejtues i Gjykatës së Kurbinit dhe për një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë.
Lajmi u bë i ditur nga gjyqtari Olti Skrame, i cili në një reagim publik e kujton Mirin si një figurë që e mbështeti në hapat e parë si magjistrat, duke i garantuar pavarësi dhe bashkëpunim profesional.
Sipas dëshmisë së kolegëve, jeta e Ded Mirit ka qenë e mbushur me sfida të mëdha. I lindur më 5 mars 1956 në Fushë-Kuqe të Kurbinit, ai përjetoi persekutimin e familjes së tij gjatë regjimit komunist. Vetë Miri vuajti dënim në burgun e Spaçit dhe punë të detyruar në minierë, ku u prek nga sëmundja e silikozës.
Pas viteve ’90, ai shërbeu fillimisht në radhët e policisë, ku u plagos gjatë detyrës, përpara se të kalonte në sistemin gjyqësor. Nga viti 1994 e deri në mars 2023, ai ushtroi detyrën e gjyqtarit, duke u larguar me mbushjen e moshës së pensionit.
Kolegët e përshkruajnë si profesionist me mendje të hapur, me integritet dhe me parimin që “të jesh njeri para se të jesh gjyqtar”.
Postimi i plotë:
Sot është ndarë nga jeta, për arsye shëndetësore, Ded Miri, ish-gjyqtar dhe ish-drejtues gjykate!
Jeta e tij është për libër. Lindur, më 5 mars 1956, në Fushë-Kuqe, Kurbin, ka qenë banues i përhershëm i asaj zone.
I vetmi mashkull i mbijetuar i familjes së tij, nga shfarosja e kryer nga komunistët, të cilët, pavarësisht angazhimit në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, pas Luftës, vranë 11 anëtarë të familjes Miri, për shkaqe politike.
Pas dënimit “vetëm” me burgim në Burgun e Spaçit, e kalimit të tetë viteve në këtë burg, si dhe të pesë viteve, me punë të detyruar, në minierën pranë tij, u sëmur me silikozë, por mbijetoi, si pak të dënuar të tjerë.
Pas viteve ‘90, fillimisht kaloi disa vite në polici, edhe duke u plagosur me disa goditje me armë zjarri, gjatë ushtrimit të detyrës. Nga viti 1994 ka ushtruar, fillimisht, detyrën e ndihmës-gjyqtarit, e mandej atë të gjyqtarit, deri në mars 2023, kur me mbushjen e moshës 67-vjeçare, në dallim nga të tjerë, nuk u ngul me thonj pas karriges.
Me atë rast, më bëri nderin e dhënies së togës së tij, të rreth 30 viteve karrierë gjyqësore!
Kur nisa detyrën në korrik 2019, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, ishte drejtues i gjykatës në pozitën e zv. kryetarit. Më ka pritur shumë mirë, duke më garantuar efektivisht pavarësi dhe mundësi për të ndikuar në përmirësimin e imazhit të gjykatës, bashkë me kolegët dhe administratën.
Ndër cilësitë e shumta pozitive që kishte ishin mendja e hapur në aspektin profesional, qënia (siç thoshte ai) “njeri, përpara se gjyqtar”, aftësia për të njohur njerëzit dhe sidomos vullneti dhe rezistenca.









