MASAKER NE KANADA/ Sulm me armë brenda një shkolle – 10 të vrarë, 25 të plagosur – mes viktimave edhe autori

Një sulm i armatosur me pasoja tragjike ka tronditur Kanadanë. Dhjetë persona humbën jetën dhe 25 të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave që ndodhën në një shkollë të mesme në komunitetin Tumbler Ridge, në verilindje të provincës British Columbia.

Sipas njoftimit të Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), shtatë viktima u gjetën brenda ambienteve të shkollës. Dy persona të tjerë u zbuluan të pajetë në një banesë, vrasje që autoritetet dyshojnë se lidhen me të njëjtin sulm. Një tjetër person ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Edhe autori i dyshuar u gjet i vdekur. Policia po heton pistën që ai mund të jetë vetëqëlluar, ndërsa thekson se nuk ka shenja për persona të tjerë të përfshirë dhe se aktualisht nuk ka rrezik për komunitetin.

Autoritetet kanë bërë të ditur se identiteti i sulmuesit është i njohur, por emri dhe të dhënat personale nuk janë bërë ende publike. Disa raportime të pakonfirmuara në media sugjerojnë se sulmi mund të jetë kryer nga një grua, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ngjarja ka pasur jehonë edhe në nivel politik. Kryeministri kanadez Mark Carney anuloi një udhëtim të planifikuar në Gjermani, ku pritej të merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, për shkak të situatës së rëndë në vend.

Hetimet për motivet dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie vijojnë.