EMRAT/ Dhuna në protestë çon në pranga 21 persona – 7 prej tyre të mitur – 16 policë të plagosur

Pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga opozita në Tiranë, Policia ka arrestuar 21 protestues, mes të cilëve 7 të mitur, ndërsa disa figura të Partisë Demokratike janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.

Sipas raportimit nga terreni, pjesa më e madhe e të ndaluarve rezultojnë përsëritës në vepra penale që lidhen me tubimet. Në pranga përfunduan: Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj, si dhe disa shtetas të tjerë, përfshirë katër 17-vjeçarë.

Akuzat

Të arrestuarit përballen me akuza të rënda si:

“Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Nën hetim figura të PD-së

Në gjendje të lirë po hetohen:

  • Ervin Minarolli, sekretar organizativ i PD-së, për “Organizim të grumbullimeve të paligjshme” dhe “Shtytje të të miturve në krim”;
  • Deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi, për “Kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “Shtytje të të miturve në krim”.

Po ashtu, është shpallur në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç.

Bilanci i përplasjeve

Sipas Policisë së Tiranës, protestuesit fillimisht u grumbulluan para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit, ku u hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe institucioneve.

Si pasojë e përplasjeve, 16 punonjës policie mbetën të lënduar, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje u sekuestruan 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë djegëse të dyshuar benzinë.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunës gjatë tubimit.