Ndëroi jetë “mamaja e Kevin” nga “I vetëm në shtëpi” – zbulohet shkaku i vdekjes së aktores Catherine O’Hara

Është bërë publik shkaku i vdekjes së aktores së njohur kanadeze Catherine O’Hara, e cila u nda nga jeta më 30 janar në moshën 71-vjeçare.

Sipas certifikatës së vdekjes të lëshuar nga autoritetet e Qarkut të Los Anxhelosit, shkaku i menjëhershëm ishte embolizmi pulmonar, një gjendje që ndodh kur një mpiksje gjaku bllokon një arterie në mushkëri. Si shkak themelor afatgjatë është identifikuar kanceri i rektumit. Dokumenti është firmosur nga onkologu i saj, i cili bëri të ditur se e kishte trajtuar aktoren që prej marsit të vitit të kaluar, ndërsa takimi i fundit me të kishte qenë më 27 janar. O’Hara ndërroi jetë në një spital në Santa Monica, Kaliforni.

Lajmi tronditi publikun dhe bashkëpunëtorët e saj, pasi fillimisht përfaqësuesit kishin njoftuar vetëm se ajo kishte ndërruar jetë “pas një sëmundjeje”, pa dhënë detaje për gjendjen e saj shëndetësore.

Catherine O’Hara ishte një nga figurat më të dashura të komedisë. Ajo u bë fillimisht e njohur për publikun si pjesë e programit humoristik legjendar SCTV, ndërsa famën botërore e fitoi me rolin e nënës së personazhit të Macaulay Culkin në filmat “I vetëm në shtëpi”. Më vonë, ajo u vlerësua me çmim Emmy për interpretimin e Moira Rose në serialin hit “Schitt’s Creek”.

Pas ndarjes së saj nga jeta, figura të shumta të kinemasë dhe televizionit, përfshirë Macaulay Culkin, Eugene Levy dhe të tjerë, shprehën homazhe prekëse, duke e kujtuar si një artiste me talent të rrallë dhe një njeri me shpirt të madh.

Sipas dokumentit zyrtar, aktorja është kremuar. Me një karrierë që zgjati rreth pesë dekada, Catherine O’Hara lë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe personazhe që do të mbeten gjatë në kujtesën e publikut.