“KILOMETRI I FUNDIT”/ Berisha thirrje për protestë – paralajmëron tubime edhe jashtë vendit – pa detaje për skenarin e sotëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës kombëtare që do të zhvillohet sot përpara Kryeministrisë, ndërsa nuk dha detaje konkrete mbi mënyrën se si do të zhvillohet tubimi.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se protesta do të jetë një “kryengritje e fuqishme paqësore”, duke theksuar se mesazhi i saj do të përcillet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në qendra të rëndësishme ndërkombëtare.

“Skenari i protestës është skenari i një kryengritjeje të fuqishme paqësore, që do të përcillet sot më shumë se kurrë në vatrat e të gjithë shqiptarëve, por edhe në Bruksel, SHBA dhe qendra të tjera kryesore. Skenari i sotëm zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe pas inicimit të fazës tjetër nga Edi Rama,” deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin se, sipas tij, po dëmton procesin e integrimit të vendit dhe se opozita mbetet e vetmja shpresë për qytetarët.

Berisha bëri të ditur gjithashtu se në vijim pritet të organizohen protesta edhe para selive diplomatike shqiptare në vende të ndryshme të botës.