“Shmangni zonën e protestës” – Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë për tubimin e 10 shkurtit në Tiranë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim paralajmërues për shtetasit amerikanë në lidhje me protestën e paralajmëruar të mbahet më 10 shkurt, në orën 17:00, në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit pritet të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”. Autoritetet shqiptare kanë sinjalizuar për masa të shtuara sigurie, përfshirë prezencë të madhe policore, bllokime të përkohshme rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit, ndërsa disa kryqëzime në qendër mund të mbeten të bllokuara.

Ambasada thekson se, edhe pse tubimet publike shpesh zhvillohen në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt dhe grumbullimet mund të përhapen në zona të tjera përreth institucioneve qeveritare.

Në udhëzimet për qytetarët amerikanë, ambasada rekomandon shmangien e zonës së protestës, ndjekjen e mediave lokale për përditësime, qëndrimin vigjilent në ambiente publike, si dhe kufizimin e shpërqendrimeve si përdorimi i telefonave apo kufjeve. Gjithashtu, këshillohet të mbahet një plan emergjence për largim të sigurt nga zona në rast nevoje.