REAGIM/ KE: Kuvendi të shqyrtojë pa vonesë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut

Komisioni Europian ka reaguar lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e saj, duke theksuar se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë ta trajtojë këtë kërkesë pa vonesë.

Në një prononcim për mediat, KE nënvizon se lufta efektive kundër korrupsionit mbetet thelbësore për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve. Brukseli vë theksin te sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit, duke kujtuar se këto janë elemente kyçe të procesit të integrimit.

Komisioni rikujton gjithashtu se në raportin për Shqipërinë për vitin 2025 ka evidentuar si shqetësim serioz përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë apo politikanë për të ushtruar ndërhyrje apo presion të padrejtë mbi sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, KE ka rekomanduar forcimin e llogaridhënies dhe uljen e ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe prokurori.

Sa i përket përplasjeve institucionale, Komisioni shprehet se monitoron nga afër zhvillimet në fushën e shtetit të së drejtës dhe do të vijojë ta bëjë këtë në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Institucionet e BE-së mbajnë dialog të rregullt me autoritetet shqiptare, ndërsa një tjetër moment diskutimi për reformën në drejtësi pritet të jetë takimi i Komitetit BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë në fillim të marsit.