Banorët e Rrjollit kanë hyrë në ditën e gjashtë të protestës kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në zonën e tyre, duke bllokuar sërish aktivitetin në kantier. Mes tensioneve, ata i kanë drejtuar akuza të drejtpërdrejta edhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Protestuesit thonë se, ndonëse janë thirrur të marrin pjesë në protestën e 10 shkurtit, Berisha nuk ka treguar asnjë mbështetje për kauzën e tyre lokale.
“Pse Sali Berisha na thërret me datën 10 kur ka interesat e veta për të bërë rrëmujë? Ka 6 ditë që ky popull është këtu dhe nuk çoi as një përfaqësues. Pse nuk erdhi të na mbështeste në tokën tonë?” – u shpreh një prej banorëve.
Ata hedhin dyshime se politika mund të ketë interesa të fshehura edhe në këtë projekt të Bashkim Ulajt si oligark i përbashkët i Ramës dhe Berishës, ndërsa kërkojnë mbështetje reale dhe jo thirrje për protesta me prapavijë politike.
“Mos na thirr kur ke interesat e tua, por na mbështet edhe në interesat tona,” – shtojnë protestuesit.
Banorët paralajmërojnë se kundërshtimi nuk do të ndalet.
“Kjo protestë nuk mbyllet as sot, as pas një muaji. Do t’i ndalojmë punimet çdo ditë. I bëjmë thirrje shtetit të verifikojë dokumentet,” – thonë ata.
Edhe këtë të shtunë punimet u ndërprenë përkohësisht. Sipas banorëve, rruga drejt kantierit është hapur, por situata mund të përshkallëzohet nëse preket zona e plazhit dhe pylli, që ata i konsiderojnë vijë të kuqe.
j









