Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv/kryeministres ka kaluar kufijtë e vendit dhe ka marrë jehonë në median ndërkombëtare.
E përditshmja prestigjioze franceze “Le Figaro” raporton se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë konfirmoi pezullimin nga detyra të një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë Rama, e cila përballet me akuza për korrupsion në procedurat e tenderëve publikë.
Sipas shkrimit, Balluku – në qeveri që prej vitit 2019 dhe e konsideruar si një nga bashkëpunëtoret më të afërta të kryeministrit Edi Rama – ishte pezulluar fillimisht më 20 nëntor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas hetimeve të prokurorisë. Me atë vendim, asaj iu ndalua edhe dalja jashtë vendit.

“Le Figaro” rikujton se në dhjetor, pas ndërhyrjes së qeverisë, Gjykata Kushtetuese kishte lejuar rikthimin e përkohshëm të saj në detyrë, në pritje të vendimit final. Por tashmë, sipas vendimit të fundit, ankimi i paraqitur është rrëzuar dhe pezullimi është konfirmuar.
Akuzat ndaj Ballukut lidhen me dyshime për favorizime në prokurime publike, përfshirë ndërtimin e tunelit 5.9 km në jug të vendit dhe një segment të Unazës së Tiranës.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama e kishte cilësuar më herët pezullimin si “një ndërhyrje brutale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”.
Gazeta franceze nënvizon se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga kushtet thelbësore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kujtuar se vitet e fundit disa ish-ministra të qeverive Rama janë përfshirë në hetime penale për çështje korrupsioni.









