Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për të shfuqizuar pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke lënë në fuqi masën e vendosur nga drejtësia e posaçme.
Vendimmarrja u shoqërua me një përçarje të fortë brenda trupës gjykuese, ku votat u ndanë 4 pro kërkesës së Ramës dhe 4 kundër, çka solli mosarritjen e shumicës së nevojshme për ta rrëzuar pezullimin.
Kush votoi pro kërkesës së Ramës
- Marjana Semini
- Gent Ibrahimi
- Sonila Bejtja
- Fjona Papajorgji (kryetare e GJK)
Kush votoi kundër
- Marsida Xhaferrllari
- Asim Vokshi
- Sandër Beci
- Ilir Toska
Gjykata theksoi se imuniteti i ministrave nuk është privilegj personal, por lidhet me funksionimin e pushtetit ekzekutiv, ndërsa theksoi gjithashtu se ministrat, si çdo zyrtar tjetër, i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbajnë përgjegjësi penale.
Në thelb, përplasja juridike brenda Kushtetueses u përqendrua te pyetja nëse për masën e pezullimit nga detyra duhet autorizim paraprak nga Kuvendi. Një pjesë e gjyqtarëve vlerësuan se po, pasi masa prek drejtpërdrejt funksionin politik të ministrit, ndërsa pala tjetër argumentoi se Kushtetuta nuk e parashikon shprehimisht këtë garanci për këtë lloj mase.
Si pasojë e barazimit të votave, kërkesa e Kryeministrit u rrëzua dhe pezullimi i Ballukut mbetet në fuqi. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, ndërsa arsyetimi i plotë do të publikohet brenda afateve ligjore.









