“Loja e Fundit” është filmi më i ri që pritet të shfaqet së shpejti në të gjitha kinematë e vendit, me protagonistë kryesorë Luiz Ejllin dhe Kiara Titon. E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, moderatorja ka ndarë detaje nga realizimi i këtij projekti kinematografik, duke treguar se eksperienca e xhirimeve ka qenë më e lehtë nga sa e kishte imagjinuar.
Kiara u shpreh se filmi është i përshtatshëm për të gjithë familjen, pa kufizime moshe, dhe zbuloi se pjesë e tij është edhe vajza e çiftit, Luna Mari. Sipas saj, dëshira për ta përfshirë Lunën në film lidhet me krijimin e një kujtimi të bukur për të ardhmen.
“Luna është pjesë e filmit. Donim shumë që, kur të rritet, të ketë një kujtim të veçantë, një pjesëmarrje që t’i mbetet për gjithë jetën”, u shpreh Kiara.
Moderatorja tregoi gjithashtu se bashkëpunimi me bashkëshortin e saj në set ka qenë shumë i thjeshtë, pavarësisht paragjykimeve se puna mes çiftit mund të jetë e vështirë. Sipas saj, Luizi e ka ndihmuar ndjeshëm gjatë aktrimit, duke e bërë gjithë procesin më të lehtë dhe më të këndshëm.
Për filmin ka folur edhe regjisori Bjordi Mezini, i cili vlerësoi interpretimin e Kiarës, duke theksuar përkushtimin dhe seriozitetin e saj në këtë eksperiencë të parë në aktrim.
“Ka qenë shumë e përqendruar dhe perfeksioniste kur duhej. Për një rol të parë, mendoj se ka bërë një interpretim të ndjerë dhe bindës”, u shpreh regjisori.









