Ish-sulmuesi i Anglisë shpërthen ndaj Ronaldo: Merr 400 mijë euro në ditë dhe sillet sikur është në grevë

Ish-sulmuesi legjendar i Anglisë, Alan Shearer, ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon për sjelljen e tij së fundmi në Arabinë Saudite, duke e konsideruar të papranueshme për një futbollist me statusin e tij.

Reagimi vjen pasi sulmuesi portugez mungoi në ndeshjen e kampionatit ndaj Al-Riyadh, të cilën skuadra e tij e fitoi 1-0. Sipas raportimeve, Ronaldo nuk ka marrë pjesë as në stërvitje pas kësaj ndeshjeje dhe ka refuzuar gjithashtu të luajë në përballjen ndaj Al-Ittihad.

Mediat bëjnë me dije se pakënaqësia e Ronaldos lidhet me mënyrën se si Fondi Sovran i Arabisë Saudite (PIF) po menaxhon klubin e tij, duke e krahasuar situatën me rivalët, veçanërisht Al-Hilal. Po ashtu, raportohet se ai ka qenë kundër transferimit të Karim Benzemas te Al-Hilal, duke e cilësuar këtë lëvizje si një dëm për konkurrencën në kampionat.

Duke komentuar këto zhvillime, Shearer u shpreh se është e pakuptimtë që një lojtar me përfitime kaq të larta financiare të zgjedhë të mos luajë.

“Jo shumë njerëz fitojnë mbi 400 mijë euro në ditë dhe vendosin të mos shkojnë në punë. Për një superyll të këtij niveli, kjo sjellje duket keq”, deklaroi Shearer.

Aktualisht, mbetet e paqartë për sa kohë Cristiano Ronaldo do ta vazhdojë këtë qëndrim, ndërsa situata e tij në Ligën Saudite vijon të jetë në qendër të vëmendjes.