Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe problematika në disa zona të vendit, duke sjellë situata të vështira veçanërisht në Himarë dhe Durrës.
Në Himarë, përroi që kalon në mes të qytetit ka dalë nga shtrati si pasojë e rritjes së prurjeve, duke përmbytur disa rrugë, të cilat u mbuluan nga uji dhe balta. Nga përmbytjet nuk ka shpëtuar as komisariati i policisë, ndërsa probleme janë raportuar edhe në disa fshatra përreth.
Pas qetësimit të reshjeve, forcat e Bashkisë kanë nisur menjëherë punën për pastrimin e zonave të prekura dhe rikthimin e situatës në normalitet. Pamjet tregojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimi i ujërave.
Situatë problematike u shënua edhe në qytetin e Durrësit, i cili përballet shpesh me përmbytje gjatë reshjeve të dendura. Në disa akse rrugore, niveli i ujit arriti mbi trotuare, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.
Në zonën e Currilave janë rikthyer rrëshqitjet e dherave, duke krijuar pengesa dhe rrezik në qarkullim. Rrëshqitje gurësh dhe dherash janë raportuar edhe në zona të tjera të vendit.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se ka përfunduar ndërhyrjen në fshatin Dragostunjë për të shmangur rrezikun e rrëshqitjeve të reja në aksin Librazhd–Prrenjas, ku qarkullimi tashmë zhvillohet normalisht.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i paqëndrueshëm me reshje shiu pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa në zonat malore rikthehen reshjet e dëborës.









