Kushtetuesja shqyrton çështjen e Belinda Ballukut – pritet sot vendimi për pezullimin nga detyra

Gjykata Kushtetuese u mblodh këtë të enjte, 6 shkurt, për të shqyrtuar ankimimin e Këshillit të Ministrave kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila kishte vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Pas seancës publike të zhvilluar më 22 janar me praninë e të gjitha palëve, tashmë pritet të mësohet nëse Kushtetuesja do të japë vendimin përfundimtar apo do të kërkojë shtyrje të mëtejshme për shqyrtim.

Vendimi i kontestuar i GJKKO-së u mor në nëntor, me kërkesë të SPAK, pasi Balluku u mor e pandehur në lidhje me dyshimet për shkelje në procedurat e tenderimit për tunelin e Llogarasë. Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi masën, duke e cilësuar ndërhyrje në kompetencat e tij kushtetuese, dhe për këtë arsye çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

Paralelisht, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, me qëllim dhënien e autorizimit për vendosjen e një mase më të ashpër sigurie, si arrest shtëpie apo arrest me burg.

Mazhoranca socialiste ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke argumentuar se duhet pritur fillimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Opozita, nga ana tjetër, kundërshton këtë qëndrim, duke theksuar se kërkesa për masë sigurie nuk lidhet drejtpërdrejt me vendimin për pezullimin nga detyra.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të dyshuara në tenderin rreth 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë dhe, sipas SPAK, po hetohet edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe. Sipas prokurorisë, qëndrimi i saj në detyrë mund të krijojë rrezik për prishje provash dhe ndikim mbi dëshmitarë.