Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se vendet evropiane mbeten të gatshme për bisedime me Rusinë, por përjashtoi kategorikisht hapjen e kanaleve të veçanta apo “paralele” të komunikimit jashtë formatit ekzistues diplomatik.
Duke folur para gazetarëve gjatë një vizite në Abu Dhabi, Merz theksoi se çdo përpjekje diplomatike duhet të jetë e koordinuar dhe transparente mes aleatëve perëndimorë. Ai bëri të ditur se vizita e fundit e një përfaqësuesi presidencial francez në Moskë ishte zhvilluar në koordinim të ngushtë me Gjermaninë.
“Ne e kemi diskutuar këtë çështje prej kohësh. Sigurisht që jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime me Rusinë”, u shpreh Merz, duke shtuar se kanali kryesor i negociatave mbeten përpjekjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas kancelarit, Evropa është e gatshme të japë kontributin e saj për ta bërë procesin e dialogut më efektiv, por pa devijuar nga linja e përbashkët. “Nëse mund të ndihmojmë që këto bisedime të kenë më shumë sukses, do ta bëjmë. Por nuk do të hapim asnjë kanal paralel komunikimi”, theksoi ai.
Merz nënvizoi se objektivi i përbashkët i aleatëve është përfundimi sa më i shpejtë i luftës në Ukrainë, duke shtuar se përgjegjësia kryesore për këtë i takon Moskës. Ai rikonfirmoi gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës.









