EMRAT/ 33 persona nën masa sigurie për çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të “Kurum”

Prokuroria e Durrësit ka vendosur masa sigurie për 33 persona në kuadër të hetimeve për 102 kontejnerë me mbetje industriale, të lidhura me kompaninë “Kurum”, të cilat ndodheshin në një zonë pranë EcoParkut në Porto Romano. Rasti u bë publik pas shqetësimeve të ngritura nga organizata mjedisore për natyrën e materialeve të depozituara.

Sipas burimeve zyrtare, mes personave nën hetim ka administratorë dhe drejtues të kompanisë “Kurum International”, përfaqësues të kompanive të tjera private të përfshira në transport dhe menaxhim mallrash, si dhe punonjës të institucioneve shtetërore me rol në kontrollin mjedisor dhe doganor.

Disa prej tyre janë vendosur në arrest me burg, ndërsa të tjerë në arrest shtëpie, në varësi të rolit të dyshuar në këtë çështje.

Në listë përfshihen edhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), përfshirë ish-drejtoreshën e përgjithshme Arta Dollani dhe drejtues të tjerë të strukturave që merren me lejet dhe monitorimin mjedisor. Po ashtu, në masa sigurie janë vendosur edhe punonjës të Degës së Doganës Durrës dhe përfaqësues të Autoritetit Portual.

Hetimi lidhet me dyshime për shkelje të procedurave në lidhje me menaxhimin, transportin dhe dokumentacionin e mbetjeve industriale, si dhe me rolin e institucioneve përgjegjëse për kontrollin dhe mbikëqyrjen.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale të secilit person të përfshirë. Vendimmarrja përfundimtare mbi fajësinë ose pafajësinë i takon gjykatës.

LISTA E PERSONAVE TË PËRFSHIRË

Masat e sigurisë

Erdal Demir   Administratori i “Kurum International” në arrest me burg

Yusuf Sezai Kurum    Administrator me prokurë i “Kurum” në arrest me burg

Gjovana Sokolaj     Pronare e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg

Doni Sokolaj        Administrator i kompanisë D.o.o Minerals në arrest me burg

Olizana Pemati    Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg

Mujo Ilazaj           Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” në arrest me burg

Rami Bunga          Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” në arrest me burg

Harun Sarica         Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” në arrest me burg

Arif Shkalla           Drejtues në kompaninë “Kurum” në arrest me burg

Shaban Hyseni     Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” në arrest me burg

Mirjeta Zotaj  Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” në arrest shtëpiak

Mikail Hila      Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” në arrest me burg

Mbarime Koroci   Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” në arrest me burg

Nazif Bajrami    Pronar i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg

Andon Prifti    Administrator i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg

Petrit Qosja   Person fizik në tregtinë e mbetjeve në arrest me burg

Julian Kapedani    Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Indrit Likaj            Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Helidon Lila         Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Edmond Voda    Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Shkëlqim Jakupi   Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Florian Çimo    Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg

Gazmend Sina  Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg

Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO në arrest me burg

Arta Dollani    Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM në arrest shtëpiak

Marjeta Përlala  Drejtoresha aktuale e AKM në arrest shtëpiak

Dritan Seferaj  Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM në arrest me burg

Kledina Skendo  Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Bujana Tonçiça  Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Evis Mellonashi   Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Kejdi Ahmetaj     Drejtoria e Inspektimit, AKM në arrest me burg

Iva Musa Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, arrest shtëpiak

Xhulio Golgota Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, arrest me burg

Anija “Molivia” e ankoruar në portin e Durrësit

Anija “Molivia” e ankoruar në portin e Durrësit

DENONCIMI PER MBETJET E RREZIKSHME

Kujtojmë se 102 kontejnerët  me mbetje të rrezikshme ishin eksportuar nga Shqipëria drejt Tajlandës, por u kthyen pas alarmit të dhënë nga organizatat mjedisore. Ato u shkarkuan më 8 nëntor 2025 në Portin e Durrësit dhe më pas u vendosën në Porto Romano.

Organizata mjedisore “Basel Action Network”, BAN, ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD).

Prokuroria e Durrësit nisi atëherë një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kurum International”. Kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Gjovana Sokolaj, administratore e kompanisë “Sokolaj”, ka pretenduar në Prokurori se mbetjet nuk janë të rrezikshme.

Drejtori i BAN, Jim Puckett, i cili vizitoi Shqipërinë më 28 tetor dhe ishte i pranishëm në portin e Durrësit ditën e mbërritjes së anijes “Molivia”, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të mundësojnë një hapje publike të kontejnerëve për një proces hetimor transparent, ndërsa kërkon që qeveria shqiptare të ndajë me organizatën e tij një mostër për analiza të pavarura.