PEZULLIMI I PEZULLIMIT/ Ngërç në Kushtetuese për “çështjen Balluku” – asnjë vendim; zvarritet sërish hetimi i zv/kryeministres

Gjykata Kushtetuese ka dështuar të prodhojë një vendimmarrje për çështjen e shumëdebatuar që lidhet me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke e shtyrë sërish shqyrtimin për një seancë tjetër.

Mbledhja në dhomë këshillimi nuk arriti në një konkluzion, ndërsa në thelb të përplasjes qëndron interpretimi i nenit 103 të Kushtetutës, përmes të cilit qeveria kërkon të qartësohet nëse një ministër mund të pezullohet nga Gjykata e Posaçme pa autorizimin e Kryeministrit.

Ekzekutivi argumenton se SPAK dhe GJKKO kanë ndërhyrë në kompetencat e kreut të qeverisë, duke paralizuar funksionimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në anën tjetër, dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan këtë qëndrim, duke theksuar se nuk ekziston konflikt kompetencash dhe se pezullimi i një ministri nuk është në dorën e Kryeministrit.

Vendimi i munguar i Kushtetueses vjen në një moment delikat: SPAK ka depozituar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut, hap që mund t’i hapë rrugë edhe masave më të ashpra ndaj saj.

Më herët, GJKKO vendosi pezullimin nga detyra të Ballukut dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, duke argumentuar se ajo, për shkak të funksionit, mund të ndikojë në prova apo dëshmitarë.

Balluku dhe vartës të saj janë nën hetim për dy tenderë me vlerë rreth 210 milionë euro – Tunelin e Llogarasë (190 mln €) dhe lotin 4 të Unazës së Madhe (20 mln €), ku dyshohet për paracaktim fituesish. Hetimet shtrihen gjithashtu edhe mbi 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt me vlerë totale rreth 450 milionë euro.

Çështja tashmë hyn në një fazë edhe më të ndërlikuar, me Kushtetuesen që mbetet kyçe për balancën mes pushteteve dhe fatin politik e ligjor të një prej figurave më të fuqishme të qeverisë.