Vendimi për bojkotin e komisioneve parlamentare nuk paska qenë aq “i hekurt” sa u paraqit publikisht. Brenda grupit të PD ka shpërthyer përçarja dhe disa deputetë i kanë dalë hapur kundër Sali Berishës.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, mësohet se Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja kanë kundërshtuar bojkotin, duke kërkuar pjesëmarrje në komisionet për reformat. Pra, jo të gjithë në PD janë gati të ndjekin vijën e “bllokimit total”.
Përballë këtij presioni të brendshëm, Berisha ka bërë një hap pas. Ai nuk e mbrojti deri në fund vendimin, por e kaloi “topin” te Kryesia, duke deklaruar se vendimin final do ta marrë ajo — një lëvizje që lexohet si përpjekje për të fituar kohë dhe për të zbutur përplasjen brenda grupit.
⏳ Situata bëhet edhe më kritike sepse sot ishte afati i fundit për pjesëmarrjen e opozitës në komisione. Pas bojkotit, mazhoranca socialiste ka paralajmëruar se të martën në seancë plenare do të diskutohet kërkesa për ndryshimin e përbërjes së komisionit dhe heqjen e paritetit të opozitës në drejtim.
Pra, nga një vendim “i fortë politik”, bojkoti po kthehet në krizë të brendshme autoriteti për Berishën — me deputetë që nuk po e ndjekin më verbërisht linjën e tij.









