ZBARDHET PLANI/ Sigurimi i shtëpive bëhet i detyrueshëm edhe për përmbytjet – Qeveria gati barën e shtuar për qytetarët

Qeveria po përgatit një ndryshim që prek drejtpërdrejt çdo familje: sigurimi i banesave nuk do të jetë më vetëm për tërmetet, por edhe për përmbytjet – dhe me detyrim për të gjithë.

Ministria e Financave ka nisur për konsultim projektligjin e rishikuar për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke zgjeruar skemën edhe ndaj rrezikut nga përmbytjet. Lëvizja lidhet me shtimin e rasteve të dëmeve nga moti ekstrem dhe ekspozimin në rritje të zonave të banuara ndaj këtyre fatkeqësive.

Çmimin nuk do ta vendosë tregu

Primi i sigurimit nuk do të jetë i lirë sipas kompanive, por do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, sipas zonës ku ndodhet prona, nivelit të riskut dhe tipit të ndërtesës. Pra, sa më e rrezikuar zona – aq më i lartë sigurimi.

Çfarë mbulohet?

Në rast fatkeqësie, dëmet do të verifikohen nga ekspertë të licencuar dhe pagesa do të bëhet nga Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet.

Dëmshpërblimi përfshin:

✔️ dëmet materiale të banesës

✔️ sendet brenda shtëpisë

❌ nuk mbulohen humbje biznesi apo fitime të humbura

Qëllimi i skemës

Shteti po synon të kalojë nga ndihmat emergjente “pas katastrofës” te një mekanizëm i detyrueshëm financiar paraprak, ku qytetarët kontribuojnë rregullisht për të përballuar dëmet kur ndodhin fatkeqësitë.

Drafti ishte hedhur edhe më parë për konsultim, por nuk u miratua. Tani rikthehet me një zgjerim të rëndësishëm — duke e kthyer sigurimin e banesës në një detyrim kombëtar të përhershëm.