EDITORIAL/ Berisha që akuzonte Bashën për bojkot të Territoriales, faktoi sot se ishte vetë ai diktuesi i atij vendimi!

Nga bignews

Sali Berisha edhe sot dha një mësim të qartë se sa larg mund të shkojnë hipokrizia dhe inkoherenca e tij politike. I njëjti Berishë, i cili dikur akuzonte Lulzim Bashën për bojkotimin e Reformës Territoriale të vitit 2013, me mospjesmarrjen e sotme në komisionin “Mazniku”, faktoi se ishte vetë ai diktuesi i vendimeve për të cilat dikur hidhte akuza.

Bojkoti i tij i sotëm i komisionit parlamentar nuk është thjesht një mungesë pjesëmarrjeje; është një demonstrim i fuqisë absolute që Berisha ka vendosur mbi PD-në dhe mbi komisionin. Ai rikthehet në rolin e tij të njohur: kur flet, gjithçka ndodh sipas dëshirës së tij, edhe nëse kjo bie ndesh me çdo logjikë demokratike.

Hipokrizia është e dukshme: kur akuzonte Bashën, fliste për mungesë bashkimi dhe lëshim përgjegjësie; sot, me vendimet e tij të imponuara, ka hequr maskën e kritikuesit dhe ka treguar se vetë ka qenë gjithmonë diktuesi i lojës. Në fakt, sot Berisha nuk ka vetëm rolin e kritikuesit; ai është protagonisti kryesor i vendimeve që dikur i quante të gabuara.

Por kontradiktat nuk ndalen këtu. Me bojkotin e tij, Berisha nuk lejon asnjë diskutim të hapur, nuk respekton procedurat e komisionit dhe nuk i lë mundësi anëtarëve të tjerë të shprehin opinionin e tyre. Kjo e kthen çdo komision parlamentar në një skenë ku fjalët dhe vendimet i shpërndan një njeri i vetëm – pikërisht ai që dikur akuzonte të tjerët për të njëjtën gjë.

Ky episod nuk është thjesht një ngjarje simbolike. Ai është pasqyrë e krizës së besimit brenda partisë më të madhe të opozitës. Kur Berisha foli për Bashën, e akuzoi për tradhëti ndaj demokratëve, mungesë strategjie dhe papërgjegjshmëri. Kurse me aktin e sotshëm ai tregoi se strategjia e tij e vetme ka qënë dhe është vetëm pushteti personal.

Në këtë kuptim, bojkoti i Teritoriales nuk është thjesht një vendim i veçuar: ai është një reflektim i mentalitetit recitivist të Sali Berishës. Në vend që të bashkonte PD-në për të dhënë një mesazh të unifikuar kundër mazhorancës, ai e ka bërë opozitën të duket e fragmentuar dhe nën zapin e një njeriu.

Në fund të ditës, sytë që dikur e ndiqnin me admirim për rolin e tij të fuqishëm në politikë, tani shohin si autorin e të njëjtës lojë me të njëjtën pasojë, i cili nuk respekton më asnjë mekanizëm, asnjë rregull, dhe nuk ka më asnjë maskë të kritikës ndaj të tjerëve.