Thellohet tragjedia në resortin e skive – Shkon në 41 numri i viktimave nga zjarri në Crans-Montana

Bilanci i zjarrit shkatërrues që përfshiu barin “Le Constellation” në resortin zviceran të skive Crans-Montana është rënduar edhe më tej. Një 18-vjeçar, i cili po luftonte për jetën prej javësh, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke e çuar numrin e viktimave në 41.

Lajmi u konfirmua nga prokurorja publike e kantonit Valais (Wallis), Beatrice Pilloud, e cila bëri të ditur se i riu zviceran ndërroi jetë në një spital në Cyrih më 31 janar, si pasojë e djegieve të rënda nga zjarri i natës së 1 janarit 2026.

Viktima kryesisht të rinj

Shumica e atyre që humbën jetën janë adoleshentë dhe të rinj, me moshë nga 14 deri në 39 vjeç. Vetëm katër persona ishin mbi 24 vjeç.

Mes viktimave janë:

23 shtetas zviceranë (një me dy shtetësi francezo-zvicerane)

18 shtetas të huaj: 8 francezë, 6 italianë dhe nga një person nga Belgjika, Portugalia, Rumania dhe Turqia.

Tragjedia ka tronditur jo vetëm Zvicrën, por edhe disa vende europiane për shkak të numrit të madh të të huajve të përfshirë.

Si dyshohet se nisi zjarri

Sipas hetimeve paraprake, flakët mund të jenë shkaktuar kur festuesit përdorën shampanjë me fishekzjarrë shumë pranë materialeve izoluese të tavanit në bodrumin e lokalit – materiale që dyshohet se u përfshinë shpejt nga zjarri.

Hetim penal ndaj zyrtarëve dhe pronarëve

Katër persona janë nën hetim:

• dy bashkë-pronarët e barit,

• drejtuesi i sigurisë publike i komunës Crans-Montana,

• një ish-zyrtar i sigurisë kundër zjarrit.

Autoritetet po verifikojnë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë dhe kapacitetet e lejuara.

Luftë për jetën në disa shtete

Të plagosurit rëndë u transportuan me helikopter në qendra të specializuara për djegie. Sipas të dhënave zyrtare:

44 pacientë po trajtoheshin jashtë Zvicrës (Francë, Itali, Gjermani, Belgjikë)

37 të tjerë vazhdojnë të marrin trajtim në spitale zvicerane

Gjendja e disa prej tyre mbetet kritike, ndërsa situata është dinamike me transferime të vazhdueshme për trajtime të specializuara.

Një nga ngjarjet më të rënda në historinë e resorteve alpine tashmë ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa hetimet pritet të hedhin dritë mbi përgjegjësitë