Vendet e Gjirit Persik po i dërgojnë një mesazh të qartë Uashingtonit: Irani nuk është çarmatosur – përkundrazi, është ende i rrezikshëm dhe operacional. Pavarësisht goditjeve që Teherani mori gjatë përplasjes 12-ditore me Izraelin në qershor, programi raketor iranian vazhdon të jetë një kërcënim i drejtpërdrejtë për bazat amerikane dhe gjithë arkitekturën e sigurisë në rajon, raportoi Washington Post.
Sipas dy zyrtarëve perëndimorë të njohur me vlerësimet e fundit të sigurisë, kapacitetet kryesore raketore të Iranit jo vetëm që kanë mbijetuar, por në disa drejtime janë rikuperuar shpejt. Kjo ndodh në një kohë kur administrata Trump ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake amerikane rreth Iranit, duke rritur tensionin në pikën e vlimit.
Arsenali që s’u shkatërrua
Analizat tregojnë se goditjet izraelite prekën objektiva të rëndësishëm, por arsenali me rreze të shkurtër, raketat kundër anijeve dhe pjesë kyçe e infrastrukturës së prodhimit mbetën funksionale. Irani vazhdon të ketë:
- municione të konsiderueshme
- lëshues raketash aktivë
- kapacitete prodhimi të shpërndara dhe të maskuara
Sipas vendeve të Gjirit, këto mjete janë të mjaftueshme për të goditur baza amerikane, porte strategjike dhe infrastrukturë energjetike, në një rajon ku ndodhen mbi një duzinë baza amerikane dhe dhjetëra mijëra trupa.
Nga “sulm për sy e faqe” te kërcënim real
Sulmi iranian ndaj bazës ajrore al-Udeid në Katar pas goditjes amerikane në qershor u pa si kryesisht simbolik. Por sinjali që ka dhënë Teherani tani është tjetër: në një përplasje të re, nuk do të ketë paralajmërime dhe as sulme të kufizuara.
Ish-diplomati iranian Amir Mousavi thotë se prodhimi i raketave është dyfishuar, ndërsa lëshuesit e dëmtuar janë riparuar dhe zhvendosur në zona malore për t’u fshehur nga sulmet ajrore.
Mbrojtja ajrore e Gjirit nën presion
Ish-zyrtari i Pentagonit, David Des Roches, paralajmëron për një pabarazi të frikshme:
“Irani ka më shumë raketa sesa vendet e Gjirit kanë raketa kundërajrore.”
Kjo do të thotë se në rast të një breshërie masive, sistemet mbrojtëse mund të mbingarkohen, duke hapur rrugë për goditje të shumta.
Aleatët e SHBA-së hezitojnë
Frika nga përshkallëzimi ka krijuar çarje në kampin amerikan. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë sinjalizuar se territori dhe hapësira e tyre ajrore nuk do të përdoren për operacione kundër Iranit, duke treguar se askush në rajon nuk dëshiron të bëhet fushëbetejë.
Ndërkohë, sipas burimeve evropiane, udhëheqja iraniane, pas shtypjes së protestave, e sheh një përballje me SHBA-në si kërcënim ekzistencial, gjë që e bën reagimin e saj potencialisht edhe më agresiv.
Frika nga kaosi pas regjimit
Disa aleatë besojnë se regjimi iranian po dobësohet, por paralajmërojnë: një rrëzim i dhunshëm i nxitur nga jashtë mund ta zhysë rajonin në kaos më të madh. Qasja që preferohet është dobësim gradual, jo shpërthim i menjëhershëm.
Mesazhi i Gjirit është i qartë: lufta me Iranin nuk do të ishte kirurgjikale — do të ishte një stuhi raketash që mund të përfshijë gjithë rajonin.









