Raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës është shtyrë, duke mos u zhvilluar këtë të diel siç pritej. Lajmin e bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili njoftoi se takimet do të zhvillohen më 4 dhe 5 shkurt në Abu Dabi.
Zelensky nuk dha arsye për ndryshimin e datës, ndërsa as Uashingtoni dhe as Kremlini nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht orarin e ri.
Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi përfaqësues të dërguar nga presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan takime të papritura me zyrtarë amerikanë në Florida, pa praninë e palës ukrainase — një zhvillim që ka shtuar dyshimet për prapaskena diplomatike.
SHBA është shprehur se po afrohet drejt ndërmjetësimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, mosmarrëveshjet për territoret mbeten pengesa kryesore.
Rusia, e cila kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, kërkon që përfshirja e plotë e rajonit të Donjeckut në kontrollin e saj të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje, duke paralajmëruar se mund ta marrë me forcë nëse diplomacia dështon.
Në anën tjetër, Ukraina refuzon çdo marrëveshje që përfshin dorëzim territoresh, duke argumentuar se kjo vetëm do ta forconte Moskën dhe do të hapte rrugë për agresione të reja në të ardhmen. Një pjesë e madhe e opinionit publik ukrainas mbështet këtë qëndrim, pas sakrificave të mëdha që nga fillimi i luftës.
Raundi i parë i bisedimeve për planin amerikan, i zhvilluar fundjavën e kaluar po në Abu Dabi, nuk solli rezultat konkret.
Lufta nisi më 24 shkurt 2022, ndërsa Moska vazhdon ta quajë konfliktin “operacion special ushtarak”. Perëndimi i është përgjigjur me sanksione të ashpra ekonomike, ndërsa lufta ka lënë mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur.









