Një moment sa i pazakontë aq edhe komik e ka kthyer boksierin amerikan Jarrell Miller në personazhin më të komentuar në rrjetet sociale.
Gjatë një ndeshjeje në ring, në kulmin e përballjes, parukja e Miller-it u shkëput nga koka dhe u zhvendos dukshëm, duke krijuar një skenë që rrallë shihet në boksin profesionist. Pamjet u përhapën me shpejtësi në internet, duke shkaktuar mijëra reagime dhe meme.
Por ajo që habiti më shumë ishte reagimi i vetë boksierit. Miller nuk u hutua dhe nuk e ndërpreu përqendrimin. Mes raundeve, me një gjest sportiv e plot humor, e hoqi paruken dhe e hodhi drejt publikut, sikur të ishte pjesë e spektaklit.
Pas momentit viral, ai u rikthye normalisht në ring dhe vazhdoi luftën deri në fund – duke e fituar ndeshjen.
Nga një incident që mund ta nxirrte nga loja, Miller arriti ta kthejë situatën në show, duke dëshmuar se jo vetëm grushtet, por edhe vetëbesimi dhe qetësia bëjnë diferencën në ring.









