Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk do ta hetojë vetë çështjen e mandatit të gjyqtares Irena Gjoka. Me votë shumice, KLGJ vendosi të mos shqyrtojë relacionin për verifikim, duke e deleguar rastin te Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Arsyetimi: pretendimet për papërshtatshmëri kanë dalë pasi Gjoka ka marrë statusin e magjistrates, ndaj kompetenca i takon ILD-së.
Ndërkohë, mbi gjyqtaren rëndon edhe një procedim penal i regjistruar nga SPAK pas një kallëzimi, lidhur me dyshimet se në formularin e vetëdeklarimit nuk është përfshirë një dënim i mëparshëm në Greqi për falsifikim dokumentesh. Hetimi është regjistruar për falsifikim formularësh, por ende pa persona zyrtarisht nën hetim.
Dosja administrative me gjetjet e Prokurorisë së Përgjithshme i është dërguar zyrtarisht KLGJ-së më 19 janar 2026, por tani fokusi zhvendoset te Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Emri i Gjokës u vu në qendër të sulmeve politike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj Sali Berishës për dosjen “Partizani”, ndërsa opozita ka ngritur akuza për konflikt interesi dhe fshehje të së kaluarës. Tashmë, fjala i mbetet ILD-së.









