Ilir Meta nuk lëviz nga qelia. Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar sërish kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.
Ish-presidenti tentoi të përmbysë vendimin e Shkallës së Parë, por Apeli e ka konsideruar të papranueshëm ankimin e paraqitur nga mbrojtja e tij. Me këtë vendim, drejtësia e posaçme konfirmon vijimësinë e izolimit të Metës, duke mos i hapur asnjë shteg daljeje nga paraburgimi.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues vendosi mospranimin e ankimit ndaj vendimit të mëparshëm të GJKKO, duke lënë në fuqi masën e sigurisë. E vetmja rrugë e mbetur për Metën është rekursi në Gjykatën e Lartë.
Kjo është hera e radhës që përpjekjet e tij për lirim përplasen në murin e gjykatave. Të treja shkallët e sistemit të posaçëm kanë mbajtur të njëjtin qëndrim: arresti në burg vijon.
Meta ndodhet pas hekurave që prej tetorit 2024 dhe po hetohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në bashkëpunim, çështje ku përfshihet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe persona të tjerë.
Mesazhi i qartë nga Apeli: beteja ligjore vazhdon, por qelia mbetet realiteti i Metës.









