AKSIDENT TRAGJIK/ Përplasje fatale në Itali – dy të rinj shqiptarë humbin jetën

Një aksident i rëndë rrugor me pasoja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali, ku dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja u regjistrua në rrugën “Strada Sanità”, në segmentin provincial që lidh Savigliano me Vottignasco, në provincën e Cuneos. Sipas mediave italiane, kjo është një rrugë e ngushtë dhe prej vitesh konsiderohet problematike, pasi aty janë shënuar edhe më herët aksidente të rënda.

Sipas të dhënave paraprake, një mjet tip Jeep, ku udhëtonin tre të rinj shqiptarë, është përplasur ballë për ballë me një kamion të markës Iveco. Goditja ka qenë shumë e fortë, ndërsa dinamika e plotë e aksidentit po hetohet nga autoritetet.

Në automjetin SUV ndodheshin tre shtetas shqiptarë. Dy prej tyre, pak mbi të 20-at, kanë ndërruar jetë në vendngjarje. I treti, 21 vjeç, i ulur në sediljen e pasme, ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Saviglianos në kod të verdhë, jashtë rrezikut për jetën.

Në mjetin e rëndë udhëtonin një burrë 58 vjeç dhe një grua 55 vjeçe. Burri është transportuar në spital gjithashtu në kod të verdhë, ndërsa gruaja ka pësuar dëmtime të rënda (politraumë) dhe është dërguar me helikopter në spitalin “Santa Croce” në Cuneo, në gjendje kritike (kod i kuq).